Shkolla e Magjistraturës, më datë 7 prill 2025, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Gjykimi i mosmarrëveshjeve për shfuqizimin e vendimeve të organeve të administrimit të shoqërive tregtare. Natyra juridike e kontrollit te brendshëm të vendimeve të organeve të shoqërisë. Pavlefshmëria relative dhe pavlefshmëria absolute e akteve të nxjerra nga organet e shoqërive të kapitalit. Natyra juridike e pasojave të pavlefshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e shoqërisë”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Artan Hajdari dhe Alma Hicka
Lehtësues: Alda Sadiku
Qëllimi i këtij trajnimi është: Zhvillimi dhe përditësimi i njohurive mbi konceptet ligjore lidhur me vendimmarrjen e organeve të administrimit të shoqërive tregtare; vlefshmërinë e akteve të shoqërive të kapitalit; gjykimi i mosmarrëveshjeve në këtë drejtim. Aftësimi i magjistratëve dhe pjesëmarrësve të tjerë të trajnimit, mbi aspekte të kontrollit të shoqërive të kapitalit, llojeve të pavlefshmërisë së akteve të shoqërisë dhe pasojave të tyre, kontrolli gjyqësor dhe elementë të mosmarrëveshjeve lidhur me to.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Natyra e kontrollit të veprimtarisë dhe akteve të shoqërive të kapitalit;
- Shoqëritë e kapitalit dhe administrimi i tyre;
- Organet e drejtimit dhe administrimit të shoqërive të kapitalit;
- Natyra e vendimmarrjes për përjashtimin e ortakut;
- Format e pavlefshmërisë së themelimit të shoqërisë tregtare: (i) pavlefshmëria para regjistrimit dhe (ii) pavlefshmëria pas regjistrimit;
- Adresimi i pasojave të pavlefshmërisë së akteve të shoqërive të kapitalit;
- Aspekte krahasuese me llojet dhe pasojat e pavlefshmërisë së veprimeve juridike;
- Mjetet juridike të mbrojtjes dhe format e shfuqizimit të vendimmarrjes dhe akteve të organeve të shoqërive të kapitalit;
- Legjitimimi aktiv dhe pasiv në gjykimet për kundërshtimin e vlefshmërisë së akteve të shoqërisë;
- Natyra juridike e organeve të shoqërive të kapitalit në funksionin e tyre të brendshëm.
- Natyra juridike e kontrollit të brendshëm të vendimeve të organeve të shoqërisë.
- Llojet e akteve të nxjerra nga organet e shoqërisë së kapitalit dhe format e pavlefshmërisë së tyre (pavlefshmëria absolute dhe relative).
- Aspekte të pavlefshmërisë së shoqërive të kapitalit, akteve të tyre dhe mjeteve të mbrojtjes në vështrim krahasimor me legjislacionin Italian dhe jurisprudencën e Gjykatës së Kasacionit Italian.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe avokatë shteti të Republikës së Shqipërisë.